Albania / Shqipëria

Gazetarët janë duke krijuar organizata mediatike digjitale në Shqipëri, por vetëm pak prej tyre kanë një model biznesi të qëndrueshëm. Të sfiduar nga ndikimi i fuqishëm i grupeve të mëdha mediatike, sidomos ai i transmetuesve, mediat digjitale vendëse në Shqipëri operojnë me kapacitete të pakta njerëzore dhe financiare. Në shumicën e rasteve, ky kapacitet financiar vjen nga të ardhurat prej reklamave, si edhe  grantet nga kompanitë private dhe organizatat ndërkombëtare. Për shkak se institucionet e saj janë të brishta, lajmet për  sektorin e politikës janë ato që dominojnë në peizazhin mediatik të vendit, të pasuara nga reportazhet investigative lidhur me tema të tilla si, krimi i organizuar dhe korrupsioni.

INFORMACIONE TË PËRGJITHSHME

Organizatat e mediave në direktori:
5
Lloji i organizatës
  • Fitimprurëse: 60.0%
  • Jofitimprurëse:  40.0%
  • Hibride: 0.0%
  • Nuk është inkorporuar/regjistruar ende: 0.0%
Gjinia e themeluesve
  • Mashkull: 62.5%
  • Femër: 37.5%
Lloji i mbulimit
  • Hiperlokale: 0
  • Ndërkombëtare: 1
  • Lokale: 0
  • Kombëtare: 4
  • Rajonale: 0

Në sfondin e asaj që shumë njerëz e kanë quajtur “ngjarje e zhdukjes së medias”, e shkaktuar nga pandemia, paqëndrueshmëria ekonomike, dezinformimi dhe lufta, janë shfaqur një numër gjithnjë e më i madh i llojeve të reja të mediave të pavarura të lajmeve.

Ndërkohë që lajmet tradicionale kanë vazhduar të reduktohen gjatë dhjetë viteve të fundit, mediat digjitale vendëse kanë lulëzuar në gjithë Evropën, duke mbushur boshllëqet e lajmeve, duke tërhequr audiencat e zhgënjyera dhe duke krijuar mënyra të reja për të ndarë informacionin jetik.

Pavarësisht diferencave politike, ekonomike dhe gjuhësore që i karakterizojnë më shumë se 40 vendet ku kemi kryer këtë studim, 540 organizatat mediatike digjitale vendëse që gjenden në regjistrin tonë Project Oasis përballen me mjaft sfida dhe mundësi të përbashkëta.

Ndër gjetjet tona kryesore:

  • Ato përdorin rrjetet sociale për t’iu drejtuar audiencave më të reja, për të dërguar përditësime lajmesh nëpërmjet Telegram që të shmangin censurën dhe të stërvitin gazetarët qytetarë për të arritur komunitetet të cilave nuk u shërbehet mjaftueshëm.
  • Më shumë se 85% thanë se problemet e shoqërisë dhe ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut janë fushat kryesore që mbulojnë, ku përfshihen tema që lidhen me emigracionin, refugjatët, gjininë dhe feminizmin.
  • Më shumë se 50% ua kushtojnë burimet e tyre gazetarisë investigative, dhe shumë media formojnë aleanca për të trajtuar  tema përtej kufijve.
  • Më shumë se 58% e themeluesve të mediave në këtë raport janë gra. Ato janë mjaft bashkëpunuese, dhe shumica kanë dy ose më shumë ortakë.
  • Mediat e  themeluara nga ekipe që përfshijnë si burra, ashtu edhe gra, raportuan nivel më të lartë të të ardhurave, me një mesatare prej 509.740 € në vit.
  • Ato që investojnë në zhvillim biznesi krijojnë organizata më të qëndrueshme. Mediat që kanë të paktën një punonjës të dedikuar për gjenerimin e të ardhurave raportuan mesatare vjetore gjashtë herë më të lartë sesa ata që nuk kanë njerëz në këto role: 598.539 € krahasuar me 95.629 €.
  • Më shumë se gjysma e mediave në këtë studim janë organizata jofitimprurëse, dhe shumë prej mediave fitimprurëse investojnë më shumë në gazetari sesa në rritjen e fitimeve.
  • Në mediat jofitimprurëse, burimet kryesore të të ardhurave janë grantet, donacionet individuale dhe anëtarësimet (sipas kësaj radhe). Në ato fitimprurëse, burimet kryesore janë: reklamat, abonimet në faqe interneti dhe grantet.
  • Shumëllojshmëria e të ardhurave është e rëndësishme, megjithatë pasja e shumë burimeve nuk do të thotë medoemos sukses më i madh. Krijimi i dy deri në gjashtë burimeve të të ardhurave duket se është optimal për të pasur qëndrueshmëri dhe pavarësi.
  • Mediat digjitale vendëse variojnë nga sipërmarrjet fillestare të vogla që drejtohen nga vullnetarë të përkushtuar ndaj komuniteteve të tyre, deri tek operacionet shumë-platformëshe tejet fitimprurëse që tërheqin miliona shikime të faqeve çdo muaj dhe fitojnë miliona euro në vitç
  • Edhe pse pak media në këtë studim janë më shumë se 20-vjeçare, më tepër se gjysma kanë filluar të publikojnë në dhjetë vitet e fundit. Numri më i madh është themeluar  në vitin 2016.

Është e vështirë të arrihet qëndrueshmëria, dhe nuk ekziston një recetë e thjeshtë për arritjen e suksesit. Megjithatë, shumë drejtues të mediave që kemi intervistuar po vërtetojnë se është e mundur të gjendet mbështetja që u nevojitet për t’u shërbyer komuniteteve të tyre.

“Jo oligarkë, jo abonime. Vetëm donacionet dhe puna jonë,” është slogani i medias digjitale vendëse Deník Referendum në Çeki, e cila është themeluar në 2009. Kryeredaktori Jakub Patočka na tregoi për metodën e tij: “Lexuesit që duan të debatojnë [te seksioni i komenteve] në artikujt tanë paguajnë një tarifë. Kjo qasje gjeneron të ardhura modeste dhe ndihmon për të zhvilluar diskutimin.”

Bashkëpunimet mediatike të financuara përmes kontributeve të anëtarëve janë një model interesant në mesin e disa prej publikimeve në regjistrin  tonë. Në Mbretërinë e Bashkuar, anëtarët bashkëpunues të The Bristol Cable janë gjithashtu “aksionarë demokratë”, që do të thotë se mund të marrin pjesë në mbledhjet e përgjithshme vjetore të organizatës, të votojnë në fushatat editoriale dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e bordit të drejtorëve joekzekutivë.

Shumica e sipërmarrjeve mediatike që kemi analizuar për të krijuar regjistrin  tonë janë themeluar nga gazetarë, shpesh me burime dhe përvojë biznesi të kufizuar, por pavarësisht këtyre (dhe shumë sfidave të tjera), shumë thanë se presin të rriten në vitet e ardhshme.

Disa të të bëhen mjaft të njohura për lexuesit që punojnë në fushën e medias, megjithatë besojmë se do të keni disa surpriza mes shumë shembujve frymëzues që kemi gjetur në Evropë. Prandaj nuk pretendojmë se ky version i parë i Project Oasis përfaqëson të gjitha mediat që duhet të përfshihen në regjistrin tonë evropian.

Shumë prej gjetjeve tona në këtë studim ishin në përputhje me projektet e mëparshme të studimit, dhe për të ofruar një kontekst më të gjerë dhe pika krahasimi, zhytemi më thellë në të gjitha gjetjet kryesore të mësipërme në raportin vijues.

Ky projekt studimi është kryer duke përdorur metodën që kemi zhvilluar në SembraMedia kur filluam të kërkonim lloje të ngjashme të mediave në komunitetet hispanike në Amerikën Latine, në Spanjë dhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 2015. Që kur filluam Project Oasis në vitin 2022, më shumë se 60 veta kanë punuar në këtë projekt, duke përfshirë 34 studiues me eksperiencë lokale, të cilët hartuan, analizuan dhe bënë intervista në më shumë se 30 gjuhë.

Është e rëndësishme të theksohet se ky raport dhe ky regjistër i mediave nuk është një listë përfundimtare dhe shteruese e të gjitha mediave digjitale të pavarura në Evropë. Shpresojmë që ky është vetëm hapi i parë i një projekti studimi të vazhdueshëm që do të vazhdojë të zhvillohet.

Ne frymëzohemi nga inovacioni, vendosmëria, guximi dhe shpesh gazetaria çmimfituese e prodhuar nga drejtuesit e mediave që me bujari kanë gjetur kohën që pavarësisht ngarkesës së madhe që kanë për të folur me studiuesit tanë.

Siç kemi mësuar nga studimet e mëparshme, theksimi i llojeve të mediave që gjenden në regjistrin  Project Oasis mund t’i ndihmojë drejtuesit e tyre të shkëmbejnë njohuritë, të bashkëpunojnë dhe të kenë shikueshmëri e njohje më të madhe nga organizatat që mund të ofrojnë mbështetjen jetike që u duhet u nevojitet dhe që e meritojnë për të vazhduar punën e tyre.

Liria e shtypit 

Edhe pse kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë garantojnë lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës, gazetarët dhe mediat ekspozohen nga kërcënime dhe presione të ndryshme nga grupet e interesit dhe partitë politike. “Ndërkohë që pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat që u vendosen mediave njëanëshëm, integriteti fizik i gazetarëve kërcënohet nga krimi i organizuar, paaftësia e shtetit për t’i mbrojtur e madje edhe nga dhuna e policisë,” thekson Reporterë Pa Kufij.

Shqipërisë vazhdon t’i përkeqësohet  liria e përgjithshme e shtypit, sipas një misioni për zbulimin e fakteve nga partnerët e Këshillit të Evropës Platforma për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve. Hulumtuesit theksojnë gjithashtu se nuk po bëhet përparim në  përmirësimin e mjedisit për gazetarinë e pavarur, atë hulumtuese , si edhe në pluralizmin mediatik.

Ndërkohë që sulmet fizike kundrejt gazetarëve janë të rralla, politikanët vazhdojnë me përpjekjet e tyre për t’i diskredituar ata. “Ndërkohë që përdorimi i gjuhës agresive dhe fyese nga kryeministri Edi Rama kundrejt medias ka rënë, t’u thuash disa gazetarëve që bëjnë pyetje sfiduese se duhet të shkojnë të bëjnë të ashtuquajturin “riedukim’ , së bashku me ndalimet e njëanshme për të mos marrë pjesë në konferenca për shtyp, kanë qenë edhe më dëmtuese” thekson Federata Evropiane e Gazetarëve.

Struktura dhe dominimi i tregut 

Rritja e organizatave mediatike digjitale vendëse në Shqipëri është penguar nga ndikimi i madh i mediave të tradicionale, si televizioni dhe gazetat. Televizioni vazhdon të ketë ndikimin më të madh, pavarësisht rritjes së audiencës që kanë pasur mediat digjitale në vitet e fundit (e shkaktuar nga materialet kreative që publikohen në këto platforma digjitale). Krahasuar me mediat tradicionale, mediat e reja digjitale vendëse fokusohen te hulumtime më të thella, te verifikimi i fakteve dhe te gazetaria e bazuar në zgjidhje. E gjithë kjo luan rol të madh në kalimin e audiencave nga media tradicionale te mediat e reja digjitale.

Si financohet media

Burimi kryesor i të ardhurave për shumicën e mediave digjitale vendëse në Shqipëri vjen nga reklamat, ndërsa “mediat private shqiptare me ndikimin më të madh zotërohen nga një numër i vogël kompanish që kanë lidhje me politikanët, dhe që operojnë njëkohësisht në sektorë mjaft të kontrolluar, si ndërtimi” sipas Reporterë Pa Kufij.

Financimi publik ekzistues kritikohet vazhdimisht për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të tij, si edhe për shkak të dyshimeve lidhur me ushtrimin e ndikimit te pavarësia editoriale e medias. Mungon transparenca, thekson organizata jofitimprurëse IREX në raportin e saj Barometri i Informimit të Pastër në Shqipëri 2022, “pasi detajet janë të vështira për t’u gjetur, mes projekteve të shumta që përdoren për t’ua kaluar mediave fondet e buxhetit publik”. 

Tregu i reklamave në Shqipëri përllogaritet në 40 milionë €, shton raporti, nga të cilat rreth 70% shkojnë te tre stacionet televizive kombëtare. Sipas raportit financiar 2021 të transmetuesit publik Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), 61% e të ardhurave vijnë nga një tarifë shërbimi që shqiptarët paguajnë për përdorimin e pajisjeve të radio-televizionit, 26% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga bashkëpunimet, reklamat dhe dhënia me qira e antenave të transmetimit. Për shkak të mungesës së fondeve, sektori jofitimprurës po haset me një mjedis gjithnjë e më të vështirë.

Në  regjistër janë përfshirë pesë profile të organizatave mediatike vendase digjitale nga Shqipëria. Të gjitha këto janë themeluar  nga gazetarë që kanë hapur mediat e tyre për shkak të kontrollit dhe censurës në media, me synimin për të ofruar gazetari të pavarur.

Një shembull është BIRN Albania, e   specializuar në raportim investigativ, publikimin dhe monitorimin e mediave. Sipas drejtoreshës ekzekutive Kristina Voko, organizata vendosi të hapte Reporter.al në vitin 2014, me synimin “për t’i dhënë zë shoqërisë civile dhe grupeve të ndjeshme në Shqipëri, pasi atyre nuk u dëgjohet zëri në mediat komerciale”. Mungesa e gazetarisë profesionale dhe investigative e ka nxitur median të hulumtojë dhe publikojë rastet e korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe abuzimit me pushtetin.

Për sa i përket përmbajtjes, shumica e mediave të përfshira në regjistër mund të konsiderohen media të përgjithshme, të cilat ofrojnë mbulim që ka shtrirje kombëtare. Mungojnë mediat lokale dhe ato që janë të specializuara në tema të tilla si, mjedisi, ekonomia, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve. Këto organizata mediatike përdorin platforma të ndryshme për të ndarë materialet e tyre, si Facebook, Instagram, Twitter, YouTube, dhe së fundi, TikTok, por asnjë prej tyre nuk përdor platforma të tilla si, newsletters, WhatsApp ose platforma të tjera komunikimi.

Për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë financiare, këto media kanë staf të vogël – kryesisht pesë deri në 20 punonjës – i cili përfshin të gjitha departamentet, si prodhimi i materialeve, marketingu dhe shitjet, IT dhe financa. Shumica e mediave (qoftë digjitale, qoftë tradicionale) varen kryesisht nga reklamat, dhe kjo i bën që të jenë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve si nga grupet e biznesit, ashtu edhe nga partitë politike. 

Televizioni është ai që dominon peizazhin mediatik dhe merr sasinë më të madhe të buxhetit prej reklamave të biznesit. Të sfiduara nga kjo situatë, shumë disa media digjitale fokusohen te prodhimi i videove dhe platformat web TV.

Për shembull, City News Albania ka aplikuar për një leje për themelimin e një web TV-je në vitin 2022. Sipas drejtorit të përgjithshëm Elvi Fundo, organizata shpreson të rritë të ardhurat prej reklamave dhe të bëhet kështu më e qëndrueshme duke shtuar këtë produkt të ri.

Sfida e përbashkët me të cilën përballen të gjitha mediat në Shqipëri mbetet qëndrueshmëria financiare. Mediat digjitale vendëse, të cilat po shfaqen çdo ditë, duhet të krijojnë një model biznesi të qëndrueshëm që do t’u japë atyre mundësi të rriten dhe të përmirësojnë standardet e tyre profesionale. Ky lloj i medias duhet të përfshihet më shumë në bashkëpunimin në projekte të përbashkëta me synimin për të raportuar lidhur me tema të rëndësishme, si ekonomia, mjedisi, arsimi, shëndeti dhe mirëqenia.

Përditësuar për herë të fundit në: Dhjetor 2022