Kosovo / Kosova (AL)

Në 10 vitet e fundit, Kosova ka hasur një rritje të madhe në numrin e organizatave digjitale vendëse të pavarura. Hedhja e këtyre mediave në treg ka ndryshuar peizazhin mediatik të Kosovës nëpërmjet rritjes së konkurrencës në një kohë kur disa media tradicionale, kryesisht gazetat, ose janë mbyllur, ose kanë kaluar nga versioni i shtypur në atë online. Pavarësisht burimeve të pakta njerëzore dhe financiare, mediat digjitale prodhojnë gazetari  hulumtuese me cilësi të lartë, sidomos në lidhje me tema që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

INFORMACIONE TË PËRGJITHSHME

Organizata në direktori
14
Llojet e organizatave
  • Fitimprurëse: 71,4%
  • Jofitimprurëse: 28,6%
  • Hibride: 0,0%
  • Nuk është inkorporuar/regjistruar ende: 0,0%
Raporti i gjinisë së themeluesit
  • Mashkull: 88,2%
  • Femër: 11,8%
Lloji i mbulimit
  • Hiperlokale: 0
  • Ndërkombëtare: 3
  • Lokale: 0
  • Kombëtare: 11
  • Rajonale: 3

Në sfondin e asaj që shumë njerëz e kanë quajtur “ngjarje e zhdukjes së medias”, e shkaktuar nga pandemia, paqëndrueshmëria ekonomike, dezinformimi dhe lufta, janë shfaqur një numër gjithnjë e më i madh i llojeve të reja të mediave të pavarura të lajmeve.

Ndërkohë që lajmet tradicionale kanë vazhduar të reduktohen gjatë dhjetë viteve të fundit, mediat digjitale vendëse kanë lulëzuar në gjithë Evropën, duke mbushur boshllëqet e lajmeve, duke tërhequr audiencat e zhgënjyera dhe duke krijuar mënyra të reja për të ndarë informacionin jetik.

Pavarësisht diferencave politike, ekonomike dhe gjuhësore që i karakterizojnë më shumë se 40 vendet ku kemi kryer këtë studim, 540 organizatat mediatike digjitale vendëse që gjenden në regjistrin tonë Project Oasis përballen me mjaft sfida dhe mundësi të përbashkëta.

Ndër gjetjet tona kryesore:

  • Ato përdorin rrjetet sociale për t’iu drejtuar audiencave më të reja, për të dërguar përditësime lajmesh nëpërmjet Telegram që të shmangin censurën dhe të stërvitin gazetarët qytetarë për të arritur komunitetet të cilave nuk u shërbehet mjaftueshëm.
  • Më shumë se 85% thanë se problemet e shoqërisë dhe ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut janë fushat kryesore që mbulojnë, ku përfshihen tema që lidhen me emigracionin, refugjatët, gjininë dhe feminizmin.
  • Më shumë se 50% ua kushtojnë burimet e tyre gazetarisë investigative, dhe shumë media formojnë aleanca për të trajtuar  tema përtej kufijve.
  • Më shumë se 58% e themeluesve të mediave në këtë raport janë gra. Ato janë mjaft bashkëpunuese, dhe shumica kanë dy ose më shumë ortakë.
  • Mediat e  themeluara nga ekipe që përfshijnë si burra, ashtu edhe gra, raportuan nivel më të lartë të të ardhurave, me një mesatare prej 509.740 € në vit.
  • Ato që investojnë në zhvillim biznesi krijojnë organizata më të qëndrueshme. Mediat që kanë të paktën një punonjës të dedikuar për gjenerimin e të ardhurave raportuan mesatare vjetore gjashtë herë më të lartë sesa ata që nuk kanë njerëz në këto role: 598.539 € krahasuar me 95.629 €.
  • Më shumë se gjysma e mediave në këtë studim janë organizata jofitimprurëse, dhe shumë prej mediave fitimprurëse investojnë më shumë në gazetari sesa në rritjen e fitimeve.
  • Në mediat jofitimprurëse, burimet kryesore të të ardhurave janë grantet, donacionet individuale dhe anëtarësimet (sipas kësaj radhe). Në ato fitimprurëse, burimet kryesore janë: reklamat, abonimet në faqe interneti dhe grantet.
  • Shumëllojshmëria e të ardhurave është e rëndësishme, megjithatë pasja e shumë burimeve nuk do të thotë medoemos sukses më i madh. Krijimi i dy deri në gjashtë burimeve të të ardhurave duket se është optimal për të pasur qëndrueshmëri dhe pavarësi.
  • Mediat digjitale vendëse variojnë nga sipërmarrjet fillestare të vogla që drejtohen nga vullnetarë të përkushtuar ndaj komuniteteve të tyre, deri tek operacionet shumë-platformëshe tejet fitimprurëse që tërheqin miliona shikime të faqeve çdo muaj dhe fitojnë miliona euro në vit.
  • Edhe pse pak media në këtë studim janë më shumë se 20-vjeçare, më tepër se gjysma kanë filluar të publikojnë në dhjetë vitet e fundit. Numri më i madh është themeluar  në vitin 2016.

Është e vështirë të arrihet qëndrueshmëria, dhe nuk ekziston një recetë e thjeshtë për arritjen e suksesit. Megjithatë, shumë drejtues të mediave që kemi intervistuar po vërtetojnë se është e mundur të gjendet mbështetja që u nevojitet për t’u shërbyer komuniteteve të tyre.

“Jo oligarkë, jo abonime. Vetëm donacionet dhe puna jonë,” është slogani i medias digjitale vendëse Deník Referendum në Çeki, e cila është themeluar në 2009. Kryeredaktori Jakub Patočka na tregoi për metodën e tij: “Lexuesit që duan të debatojnë [te seksioni i komenteve] në artikujt tanë paguajnë një tarifë. Kjo qasje gjeneron të ardhura modeste dhe ndihmon për të zhvilluar diskutimin.”

Bashkëpunimet mediatike të financuara përmes kontributeve të anëtarëve janë një model interesant në mesin e disa prej publikimeve në regjistrin  tonë. Në Mbretërinë e Bashkuar, anëtarët bashkëpunues të The Bristol Cable janë gjithashtu “aksionarë demokratë”, që do të thotë se mund të marrin pjesë në mbledhjet e përgjithshme vjetore të organizatës, të votojnë në fushatat editoriale dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e bordit të drejtorëve joekzekutivë.

Shumica e sipërmarrjeve mediatike që kemi analizuar për të krijuar regjistrin  tonë janë themeluar nga gazetarë, shpesh me burime dhe përvojë biznesi të kufizuar, por pavarësisht këtyre (dhe shumë sfidave të tjera), shumë thanë se presin të rriten në vitet e ardhshme.

Disa të të bëhen mjaft të njohura për lexuesit që punojnë në fushën e medias, megjithatë besojmë se do të keni disa surpriza mes shumë shembujve frymëzues që kemi gjetur në Evropë. Prandaj nuk pretendojmë se ky version i parë i Project Oasis përfaqëson të gjitha mediat që duhet të përfshihen në regjistrin tonë evropian.

Shumë prej gjetjeve tona në këtë studim ishin në përputhje me projektet e mëparshme të studimit, dhe për të ofruar një kontekst më të gjerë dhe pika krahasimi, zhytemi më thellë në të gjitha gjetjet kryesore të mësipërme në raportin vijues.

Ky projekt studimi është kryer duke përdorur metodën që kemi zhvilluar në SembraMedia kur filluam të kërkonim lloje të ngjashme të mediave në komunitetet hispanike në Amerikën Latine, në Spanjë dhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 2015. Që kur filluam Project Oasis në vitin 2022, më shumë se 60 veta kanë punuar në këtë projekt, duke përfshirë 34 studiues me eksperiencë lokale, të cilët hartuan, analizuan dhe bënë intervista në më shumë se 30 gjuhë.

Është e rëndësishme të theksohet se ky raport dhe ky regjistër i mediave nuk është një listë përfundimtare dhe shteruese e të gjitha mediave digjitale të pavarura në Evropë. Shpresojmë që ky është vetëm hapi i parë i një projekti studimi të vazhdueshëm që do të vazhdojë të zhvillohet.

Ne frymëzohemi nga inovacioni, vendosmëria, guximi dhe shpesh gazetaria çmimfituese e prodhuar nga drejtuesit e mediave që me bujari kanë gjetur kohën që pavarësisht ngarkesës së madhe që kanë për të folur me studiuesit tanë.

Siç kemi mësuar nga studimet e mëparshme, theksimi i llojeve të mediave që gjenden në regjistrin  Project Oasis mund t’i ndihmojë drejtuesit e tyre të shkëmbejnë njohuritë, të bashkëpunojnë dhe të kenë shikueshmëri e njohje më të madhe nga organizatat që mund të ofrojnë mbështetjen jetike që u duhet u nevojitet dhe që e meritojnë për të vazhduar punën e tyre.

Liria e shtypit 

Sipas organizatës Reporterë Pa Kufij, liria e fjalës, mbrojtja e burimeve dhe e drejta e informimit janë të mbrojtura me ligj në Kosovë. Megjithatë, grupet për lirinë e medias dhe organizatat e tjera vënë në dukje se, megjithëse shpifja është dekriminalizuar, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (paditë SLAPP) përbëjnë një “kërcënim serioz” ndaj pavarësisë së medias. Edhe pse sulmet fizike janë të rralla, përsëri janë dokumentuar kërcënime të rënda verbale dhe online nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me më shumë se 30 raste të renditura në platformën e saj për vitin 2022. Për thuajse njëzet vjet, në Kosovë nuk është vrarë asnjë gazetar, thekson  organizata Reporterë Pa Kufij, por vrasjet dhe zhdukjet para dhe pas luftës “kanë mbetur të pandëshkuara”.

Struktura dhe dominimi i tregut 

Kosova ka një treg mediatik pluralist që dominohet nga grupet e mëdha mediatike. Megjithatë, për shkak të pasojave të pandemisë Covid-19, gazetat i kanë ndërprerë  botimet e tyre të shtypura, megjithëse janë ende duke publikuar online. “Përveç kësaj, disa media transmetimi (televizione) janë ristrukturuar për të bërë ndryshime të mëdha operacionale, si integrimi i redaksive të shtypura, online dhe atyre televizive në një [redaksi të vetme],” IREX, Barometri i Informimit të Pastër në Kosovë 2021. Mediat e reja digjitale e kanë shfrytëzuar këtë krizë për të rritur praninë e tyre duke ofruar produkte të reja cilësore. Kjo u inkurajua gjithashtu nga niveli i lartë i përdorimit të internetit në Kosovë. Sipas raportit të IREX-it, telekomunikimi dhe infrastruktura e internetit mbulon thuajse të gjithë Kosovën. Në këtë aspekt, krahasuar me organizatat mediatike  tradicionale, mediat digjitale kanë shfrytëzuar më së miri praninë e madhe të  qytetarëve të Kosovës në rrjetet sociale, duke përdorur Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok si kanalet e tyre më të rëndësishme për shpërndarjen e materialeve.

Si financohet media

Organizatat e mediave tradicionale, si edhe mediat e reja digjitale në Kosovë varen kryesisht nga të ardhurat prej reklamave dhe shitjeve që vijnë nga kompanitë dhe sipërmarrjet private, edhe pse financimi përmes granteve nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare është duke u rritur. Ky i fundit  vlenë sidomos për mediat jofitimprurëse, të cilat financohen kryesisht nga organizatat ndërkombëtare, fondacionet dhe programet qeveritare të huaja, ndërsa transmetuesi publik Radio Televizioni i Kosovës (RTK) vazhdon të financohet kryesisht nga shteti.

Sipas IREX, edhe pse shumica e mediave janë përballur me një krizë për shkak të pandemisë Covid-19, vazhdojnë të shfaqen organizata të reja mediatike online dhe si dhe  televizione. Këto media kanë diversifikuar në veçanti sektorët e mediave të transmetimit (radio dhe TV) dhe atyre digjitale. Sipas Raportit të Komisionit Evropian të Kosovës të vitit 2022, mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare bën që sektori mediatik, duke përfshirë transmetuesin publik, të jetë i prekur nga interesat politike dhe interesat e biznesit.

Në  regjistër janë përfshirë katërmbëdhjetë profile të organizatave mediatike vendëse digjitale nga Kosova. Mbi 90% e  e themeluesve të tyre janë burra; prania e grave në   hierarkinë e lartë udhëheqëse mbetet në nivel shumë të ulët. Këto media të reja digjitale  u themeluan kryesisht nga gazetarët, dhe operojnë me kapacitete të pakta njerëzore dhe financiare, ku numri i punonjësve varion nga pesë deri në 20. Mediat e përfshira në regjistër fokusohen kryesisht te politika, krimi, korrupsioni dhe të drejtat e njeriut.

Meqë Kosova ka nivel të lartë të përdorimit të internetit, mediat digjitale vendëse janë shumë të fokusuara që t’i shpërndajnë materialet e tyre përmes rrjeteve sociale, kryesisht Facebook, Instagram, Twitter dhe TikTok. Ato rrallëherë përdorin platforma të tjera, si newsletters, WhatsApp ose platforma të tjera komunikimi për të ndarë materialet e tyre. Këto media fokusohen kryesisht në prodhimin e videove, pasi kjo shihet si një mënyrë e mirë për të  rritur të ardhurat duke nënshkruar kontrata të reja sponsorizimi ose duke monetizuar materialet në platforma, si YouTube dhe atyre që janë në pronësi të Metas.

Mbi 90% e organizatave të intervistuara e renditin reklamimin si burimin e tyre kryesor të financimit. Kjo varësi nga reklamat ka pasur ndikim negativ te qëndrueshmëria e mediave, sidomos gjatë dhe pas periudhës së pandemisë Covid-19 dhe krizës ekonomike që  pasoi, kur shumë biznese i  i ndërprenë kontratat e reklamimit dhe mediave u iku burimi i tyre kryesor i të ardhurave. Një burim tjetër i rëndësishëm i të ardhurave është monetizimi i materialeve në platformat e tilla si, YouTube dhe ato që zotërohen nga Meta. Në këtë fushë, një sfidë tjetër e përbashkët për të gjitha mediat që prodhojnë materiale në shqip është fakti se Google AdSense nuk mbështet gjuhën shqipe. 

Edhe pse janë ende në fazë zhvillimi, organizatat mediatike digjitale vendëse në Kosovë kanë arritur të konkurrojnë me mediat tradicionale për sa i përket ofrimit të informacionit të shpejtë e të saktë, si edhe në publikimin e  e hulumtimeve lidhur me tema të rëndësishme në fushën e politikës, ekonomisë dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë ato përballen me sfidën e përbashkët të qëndrueshmërisë, qoftë për sa u përket financave, ashtu edhe për sa i përket stafit. Mungesa e qëndrueshmërisë pengon rritjen, zhvillimin e standardeve profesionale dhe ndikon gjithashtu te investimi në inovacion.

Përditësuar për herë të fundit në: Dhjetor 2022